Lehtësohet kredia për fermerët – Gjermania, fond garancie 5 mln euro, Peleshi: Rriten përfitimet për të vegjëlit
Kapitali i garancisë për kreditimin e fermerëve do të rritet me 5 milion euro. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi dhe ambasadorja gjermane në vendin tonë kanë firmosur marrëveshjen për fondin e garancisë së kredive rurale, e cila pritet të krijojë lehtësi në marrjen e një kredie nga ana e fermerëve, kryesisht atyre të vegjël.
Sipas ambasadores gjermane vënia në dispozicion e këtij fondi do të rritë numrin e fermerëve që mund të marrin kredi për blerjen e makinerive moderne apo për ngritjen e serave e të dhomave frigoriferike.
Ndërkaq, pas nënshkrimit të marrëveshjes zv.ministri i Bujqësisë, Ilir Halilaj bëri me dije për TV SCAN se fondi do të jetë gati për t’u përthithur nga bankat brenda këtij viti, ndërkohë që numri i përfituesve pritet të shkojë në 1500 fermerë.
Ky është fondi i dytë i vënë në dispozicion nga qeveria gjermane përmes KfW-së, ndërkohë që ambasadorja gjermane bëri me dije se Gjermania do të vërë në dispozicion mbështetje të mëtejshme financiare dhe teknike në sektorët e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.