Leje ndërtimi të falsifikuara, sekuestrohen pallate dhe truall në Lezhë

Dy pallate në ndërtim dhe një truall në pronësi të një shtetasi janë sekuestruar në qytetin e Lezhës, pasi rezultuan se lejet e tyre janë siguruar në kundërshtim me ligjin.
Policia e Lezhës në bashkëpunim me dhe Prokurorinë se Rrethit Gjyqësor Lezhë kanë sekuestruar pasuri të paluajtshme, pallate në ndërtim, lejet e të cilave kanë rezultuar të siguruara në kundërshtim me ligjin ( të falsifikuara) në pronësi të një shoqërie sh.p.k. në Lezhë. Gjithashtu edhe një truall ( me një objekt në ndërtim e sipër ) leja e të cilit rezultoi e siguruar në kundërshtim me ligjin, në pronësi të një shtetasi.
“Me datë 13.04.2018, nga specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomik financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u ekzekutua Urdhëri datë 13.04.2018, i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për ekzekutimin e vendimit penal Nr. 127 datë 13.04.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë , e cila ka vendosur masën e sigurimit pasuror “,Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme, pallate në ndërtim të një shoqërie sh.p.k. në Lezhë, në adresë Kune Shëngjin, në pronësi dhe administrator të shtetasit A.U”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Konkretisht janë sekuestruar;
– Një pallat 5 katesh dhe në proces kati i fundit, me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 2000 m2.
– Një pallat 7 katesh dhe në proces kati i fundit, me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 4712m2.
“Gjithashtu, po më datë 13.04.2018, nga specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomik financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u bë ekzekutimi i urdhërit datë 13.04.2018, i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë , për ekzekutimin e vendimit penal Nr. 128 datë 13.04.2018, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme ( dhe në gjendjen faktike në të cilën ndodhet sot objekti i ndërtimit, në ndërtim e sipër ), konkretisht Truall me sipërfaqe 1146.6 m2, në adresë lagje “Besëlidhja” Lezhë, në pronësi të shtetasit B.D”.
Arsyeja e vendosjes së kësaj sekuestro është bërë pasi, nga vendimi penal i Gjykatës, leja për ndërtim ka rezultuar e siguruar në kundërshtim me ligjin.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.