Lejet e ndërtimit dyfishohen për vitin 2017 – Kryeson Tirana, ndjekin Fieri dhe Korça

Numri i lejeve të ndërtimit në vend regjistroi përsëri rritje në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri total i lejeve të ndërtimit të miratuara në të gjithë vendin arriti në 310. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, numri i lejeve është rritur me 114%.

Për nëntë muajt e parë të vitit, në Shqipëri janë dhënë gjithsej 608 leje ndërtimi, gati dy herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Qarqet me numrin më të lartë të ndërtimeve të reja në tremujorin e tretë të këtij viti ishin Tirana me 65 leje, e ndjekur nga Fieri me 54 dhe Korça me 50.
Mbështetur në të dhënat më të detajuara nga INSTAT, dy të tretat e lejeve janë dhënë për ndërtesa banimi, ndërsa një e treta për ndërtime tregtare dhe industriale. Nga 208 lejet për ndërtesa banimi, mbizotërojnë ndërtimet deri në dy kate, ndërkohë që lejet për pallate të reja ishin vetëm 48. Ndërsa lejet për ndërtime jo rezidenciale, kanë shkuar kryesisht për ndërtesa aktiviteti industrial dhe tregtar.
Sipas të dhënave nga INSTAT, ndërtimi ka qenë ndër kontribuesit kryesorë të rritjes ekonomike në vitet e fundit. Për dy tremujorët e parë të këtij viti, prodhimi i sektorit të ndërtimit u rrit mesatarisht me 18% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.