Lejet e ndërtimit Tetor-Dhjetor në rënie, por përbëjnë numrin më të madh në 4 vitet e fundit

Lejet e ndërtimit për ndërtesa të reja janë rritur me 43.5% në tremujorin e katërt 2017. Gjatë kësaj periudhe janë miratuar 211 leje, nga 147 që ishin në tremujorin e katërt të vitit 2016.
Sipas Institutit të Statistikave, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja gjatë këtij tremujori është rreth 197 130 m2, duke shënuar një rritje me 7.5% krahasuar me të njëjtën periudhë 2016.
Një tjetër tregues i cili ka shënuar rritje për periudhën Tetor-Dhjetor 2017 është edhe vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, duke arritur në 9.7 miliardë lekë, 0.9 mld lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Rreth 52% e këtyre lejeve janë miratuar për banim, 24.4% për punime inxhinierike dhe 22.7% për ndërtesa të tjera.
Burimi: INSTAT
Sa i takon qarqeve me numrin më të lartë të lejeve të miratuara, kryeson qarku i Tiranës me 64 leje, ndjekur nga ai i Fierit me 35, Durrësit me 34 dhe Shkodrës me 23 leje. Ndërkohë, sipas të dhënave të INSTAT, në qarkun e Dibrës nuk është miratuar asnjë leje për ndërtesa të reja. Qarqe të tjera ku janë miratuar më pak leje ndërtimi janë ai i Kukësit me 2, Vlorës, Gjirokastrës, Lezhës dhe Beratit me nga 6 leje.
Burimi: INSTAT
Pavarësisht se numri i këtyre lejeve është më i ulët krahasuar me tremujorin e kaluar, për periudhë Tetor-Dhjetor përbëjnë numrin më të madh të të paktën 4 viteve të fundit.
Lidhur me sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, kryeson po qarku i Tiranës me 115.953 m2 që ka shënuar një rënie të konsiderueshme në krahasim me tremujorin e tretë të 2017-ës, që numëronte 222.074m2.
Burimi: INSTAT
Vlera më e lartë e përafërt lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa dhe punime inxhinierike regjistrohet po në Qarkun e Tiranës me 3.9 miliardë lekë, pasuar nga qarku i Durrësit me 1 .7 miliardë lekë dhe ai i Vlorës me vlerë 1.2 miliardë lekë.
Burimi: INSTAT
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.