Lejet minerare, MIE shpall fituesit – Kompania turke fiton garën për dy miniera bakri
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur fituesit për disa prej lejeve minerare të nxjerra në garë më herët gjatë këtij viti. Janë katër leje që janë akorduar pas konkurrimit, ndërsa gara për zonën minerare 315/7 ka rezultuar e pasuksesshme.
Ndër fituesit, bie në sy kompania turke “Tete Albania Tunnel & Mining”, e cila ka fituar lejet për zonat minerare nr.275/6 dhe 275/9. Konkretisht bëhet fjalë për dy miniera bakri, atë të Letitna dhe Gurth 3, të dyja në Mirditë.
Në minierën e Letitna, turqit synojnë të realizojnë një prodhim vjetor prej 50 mijë tonësh, pas një investimi prej 99 milionë lekësh. Vlera e produkteve minerare në këtë leje llogaritet në 1.9 miliardë lekë, ndërsa rentabiliteti ekonomik është caktuar në vlerën e 29.3%.
Ndërsa në zonën minerare Gurth 3, kompania do të realizojë një prodhim vjetor prej 30 mijë tonësh në vit. Këtu investimi është më i madh, rreth 102 milionë lekë dhe po ashtu edhe vlera e produkteve minerare: 2.26 miliardë lekë. Sipas të dhënave të MIE, vlera e rentabiliteti ekonomik për këtë leje është caktuar në 47.5%.
“Tete Albania Tunnel & Mining” ishte shpallur më herët fituese edhe për dy minierat e tjera Gurth 4 dhe Gurth 2, me një vlerë të përbashkët të produkteve minerare të llogaritura në 4.6 miliardë lekë.
Sa i takon lejeve të tjera, shoqëria “Mara 2011” u shpall fituese e zonës minerare 277/6, e cila përkon me objektin Qafë-Buall në qarkun e Dibrës. Kompania synon që pas një investimi prej 10 milionë lekësh të realizojë një prodhim prej 4 mijë ton krom në vit. Vlera totale e produkteve minerare llogaritet në vetëm 40 milionë lekë, ndaj dhe vlera e rentabilitetit ekonomik është caktuar në vetëm 13.8%.
Ndërsa shoqëria “PE & SA” ka prezantuar ofertën e suksesshme në garën për lejen minerare të zonën nr 428, për objektin Sinjë në qarkun e Beratit. Kjo zonë minerare llogarit një vlerë produkti të mineralit ranor silicor prej 615 milionë lekësh. Investimi i parashikuar për t’u kryer është 29 milionë lekë, me një sasi prodhimi prej 1200 metrash kub në vit.
Në total vlera e investimit për të katër zonat minerare arrin në 240 milionë lekë, ose rreth 1.9 milionë euro.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.