Lejet mjedisore – Klosi: Nga data 13 dhjetor do të jenë online
Duke filluar nga dita e mërkurë lejet mjedisore dhe gjobat do të jepen përmes sistemit online. Në takimin e zhvilluar me inspektorët e mjedisit në çeljen e procesit të trajnimit në kuadër të kësaj reforme, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi bëri të qartë se ky reformim do të sjellë shmangien e abuzimeve në dhënien e lejeve duke bërë transparent çdo veprim.
“I gjithë sistemi i dhënieve të lejeve mjedisore duhet të reformohet. Padyshim edhe lejet mjedisore duhet të jenë online. Duhet të jenë më të specifikuara dhe me kritere të kontrollueshme. Dhe kontrolli juaj të jetë më i strukturuar dhe të kuptoni çfarë kontrolloni. Dhe të jetë më transparent karshi publikut”, tha ministri.
Reformimi do të prek dhe inspektorët. Në datë 15 dhjetor, ata pritet t’i nënshtrohen një testimi për aftësitë profesionale
“Nuk di se sa nga ju do ta plotësojnë dhe do e kalojnë testin e administratës publike dhe testin e vazhdueshëm që do të bëjnë kryeinspektorët. Por, di të them që institucioni është shumë i rëndësishëm për të bërë një reformë të madhe të trajtimit ndryshe të mjedisit në Shqipëri. Ju nuk jeni njerëzit që bëni gjykimet, jeni njerëz që bëni konstatimet. Le të vendosin gjykatat, le të vendosi sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrja juaj është e drejtë apo jo. Por ju jeni njerëzit që duhet të merrni një vendim. Nëqoftëse leja mjedisore nuk është zbatuar, ne duhet të jemi radikalë”, tha Klosi.
Reformimi i lejeve mjedisore vjen në kuadër të nismës “Të pastrojmë Shqipërinë”. Kjo si domosdoshmëri për të shmangur abuzimet që janë bërë për vite me radhë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.