Lejet mjedisore për riciklimin – Klosi: Aksioni s’do ndalet. Mazniku: Rrezik për shëndetin banorëve
Pavarësisht se Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Shoqata e Ricikluesve kanë kërkuar ndaljen e aksionit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se do evidentohen të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve, të cilat janë hapur në kundërshtim me kriteret mjedisore dhe që e zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda zonave të banuara. Deklarata e Klosit, u bë gjatë inspektimit një pike grumbullimi që funksiononte një nga zonat më të populluara të Tiranës, duke shtuar se ky aksion vjen si përgjigje ndaj shqetësimit të qytetarëve.
“Këtë aksion e kemi ndërmarrë për të pastruar qytetet tona. Nuk është aksion vetëm në Tiranë, por do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë. Krahas evidentimit të problematikave të këtyre pikave të grumbullimit të mbetjeve, po shqyrtojmë dhe kemi në miratim kriteret e reja. Jemi këtu për çdo shqetësim të qytetarëve, për të mbështetur organet ligjzbatuese, për të mbështetur biznesin e ndershëm, i cili mund t’i zhvillojë bizneset me kriteret e lejeve mjedisore në përputhje me kushtet me të cilat ndërtohen këto biznese në gjithë vendet normale europiane dhe padyshim zhvillimin e këtyre bizneseve larg zonave të banuara, pasi është e pafalshme që qyteti të bashkëjetojë me plehrat”.
I pranishëm në inspektim ishte dhe në kryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili iu përgjigj akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili deklaroi gjatë paradites se mbyllja e këtyre pikave vjen në funksion të 3 inceneratorëve.
“Jam i sigurt se edhe zoti Basha, që sot përmendi këto raste, në Holandë, ku edhe ka shansin të shkojë shpesh, nuk ka parë njerëz të cilët shpenzojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre brenda kazanëve të plehrave, duke u përpjekur të marrin mbetjet dhe më pas i grumbullojnë në pika të tilla brenda zonave urbane. Këto pika kthehen në vatra rrezikshmërie për shëndetin, kthehen në pika, të cilat janë plotësisht jo formale nga këndvështrimi fiskal dhe mjedisor dhe çfarë është më problematikja, nuk na japin mundësinë që të krijojmë një sistem të mirë për funksionimin dhe pastrimin e qytetin”.
Sipas Maznikut, aktivitete të tilla përveç problematikës që shkaktojnë në aspektin mjedisor, bëjnë të pamundur edhe krijimin e një sistemi të organizuar të pastrimit të qytetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.