Leku ende në trajektore rritëse – Thyen rekorde me dollarin, euron dhe paundin britanik
Monedha kombëtare vazhdon të forcohet dita ditës në tregun vendas të këmbimit valutor. Ngjitja që nisi në fillim të javës po bën që leku të zhvlerësojë të gjitha valutat ndërkombëtare.
Kur mendohej se euro nuk mund të ulej më tepër, pasi është lidhur ngushtë me ekonominë shqiptare si pasojë e euroizimit, ose prezencës së madhe të kësaj valute, dita e enjte ka sjellë një dobësim të mëtejshëm në raport me lekun.
Euro ra me 0.2 lekë në raport me ditën e djeshme, ndërsa humbjet e kësaj jave arrijnë në 0.5 lekë. Tashmë i fiksuar në kursin e 132.3 lekëve, ky është niveli më i ulët i valutës së përbashkët europian që prej Gushtit të kaluar.
Rënia ka qenë edhe më e madhe për dollarin amerikan, i cili u zhvlerësua brenda 24 orësh me 1 pikë kundrejt lekut. Nga kuota e 107 lekëve ditën e mërkurë, monedha e SHBA këmbehet sot për 106 lekë. Kombinuar me dobësinë e dollarit në tregjet ndërkombëtare, tashmë kjo valutë në raport me lekun gjendet në pikën më të ulët që prej Gushtit 2014.
Sa i takon valutave të tjera, paundi britanik është zhvlerësuar me 0,1 lekë; dollari kanadez ka regjistruar rënie me 0.3 lekë, ndërsa edhe franga zvicerane ka humbur 0.4 pikë në raport me lekun.
Sipas ekspertit të ekonomisë Adrian Civici, ky forcim i monedhës kombëtare nuk është ndikuar nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë, pasi është ende herët për të dhënë efekt. Civici i konsideron këto luhatje të përkohshme dhe si pasojë e sasive të mëdha të euros aktualisht në treg.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.