Leku forcohet përsëri, zhvlerëson të gjitha valutat – Euro dhe Stërlina prekin nivele të ulëta rekord

Tregu vendas i këmbimit valutor ka regjistruar edhe një herë një forcim të lekut kundrejt shportës së valutave të huaja kryesore. Me përjashtim të Euros, e cila mbahet në nivelet më të ulëta të gjashtë muajve të fundit, të gjitha monedhat e tjera janë zhvlerësuar edhe më tej, duke ndjekur ritmin e ditës së hënë.
Dollari amerikan ra me 0.5 lekë krahasuar me nivelin e ditës së djeshme, ndërsa rënia lidhet me performancën negative në tregjet ndërkombëtare. Investitorët mbeten në pritje të statistikave të inflacionit në SHBA, çka solli dobësimin për të katërtën ditë radhazi kundrejt euros dhe prekjen e nivelit më të ulët të 15 muajve kundrejt jenit japonez.
Stërlina ndërkohë ra me 0.4 pikë ndaj lekut dhe sot këmbehet për 148,6 lekë. Një kurs i tillë këmbimi për këtë valutë nuk regjistrohej që prej Tetorit të kaluar.
Me nga 0,3 pikë secila janë zhvlerësuar ndaj monedhës kombëtare edhe Dollari Australian dhe ai kanadez. Ata këmbehen sot përkatësisht me 84 dhe 85 lekë.
Ndërkohë, franga zvicerane ka rënë me 0,4 lekë, duke shënuar luhatjen e parë pas javësh e fiksuar në kursin e 115 lekëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.