Leku, “mbret i valutave” – Euro zbret në 124, zhvlerësohen masivisht monedhat e tjera
Forcimi i monedhës vendase në tregun e këmbimit valutor ka vijuar edhe ditën e sotme, duke regjistruar rekorde të reja historike. “Superleku” ka zhvlerësuar të gjitha valutat kryesore, madje edhe komoditetet si ari dhe argjendi.
Vetëm një ditë pasi kishte thyer edhe “barrierën” e 125 lekëve, euro ka rënë sot me 0.7 lekë për njësi, duke u fiksuar në kuotën e 124 lekëve në blerje dhe 125 lekëve në shitje. Madje në orët e para të mëngjesit, luhatjet në raportin mes dy valutave ranë deri në 123.6 lekë për njësi.
Ndërkohë, situata në tregjet ndërkombëtare për monedhën e përbashkët europiane duket e përmirësuar, pas deklaratave të ministrit të ri të Ekonomisë në Itali, i cili u shpreh se as ai dhe as partitë në koalicionin qeverisës nuk duan të dalin nga eurozona.
Shumë larg vlerave të fundit të muajit Maj duket edhe dollari amerikan, i cili ka zbritur në kursin e 105.8 lekëve. Krahasuar me një ditë më parë, kjo përbën një dobësim me 0.8 lekë për njësi.
Leku duket se po përsërit raportin me euron edhe tek paundi britanik, i cili ndodhet tashmë zyrtarisht në pikën më të ulët që prej vitit 2009. Stërlina këmbehet sot për 141 lekë në blerje dhe 142 lekë në shitje, një rënie nga dita në ditë me 1.2 lekë për njësi. Kjo rënie megjithatë vjen në kombinim me faktorët e jashtëm, ku të dhënat e dobëta të ekonomisë së Britanisë kanë ulur vlerën e saj kundrejt dollarit amerikan.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian paraqitet sot në rënie me 0.5 lekë për njësi, dollari kanadez është zhvlerësuar me 0.5 lekë për njësi, ndërsa franga zvicerane ka humbur plot 0.8 lekë për njësi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.