Leku nis zhvlerësimin, përfitojnë valutat e huaja – Lira turke bie edhe në Shqipëri

Dita e fundit në tregun e këmbimit valutor vendas ka nisur me një zhvlerësim të monedhës vendase kundrejt valutave të tjera. Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për të mos lejuar një mbiçmim të shpejtë të lekut duket se ka nisur të japë efektet, çka ka bërë që shumë valuta si euro apo dollari amerikan të rekuperojnë disa prej humbjeve të këtyre javëve.
Euro arriti të ngrihej lehtë me 0.1 lekë për njësi dhe tashmë ndodhet në kuotën e 125.3 lekëve. Megjithatë, rikthimin në të paktën nivelin e 125.5 lekëve me shumë gjasa nuk do të ndodhë deri javën e ardhshme.
Përfitimin më të madh nga dobësimi i lekut e ka pasur dollari amerikan, i cili ka mbërritur në kuotën e 108 lekëve për njësi. Me një rritje prej 0.5 pikësh krahasuar me ditën e djeshme, dollari ngjitet kështu në nivelin më të lartë që prej fundit të Korrikut. Sakaq, lufta tregtare me Kinën është duke funksionuar në favor të monedhës amerikane, duke e mbajtur këtë të fundit lart në raport me valutat e huaja.
Një rritje me 0.5 lekë për njësi ka pasur edhe franga zvicerane, e cila ngrihet në kuotën e 108.5 lekëve për njësi. Rritje më modeste ka pasur edhe për dollarin australian me 0.1 lekë për njësi dhe atë kanadez me 0.2 lekë për njësi.
Në rënie për ditën e sotme regjistrohet vlera e paundit britanik, i cili pas kujdesit të Bankës së Anglisë për rritje të normave në të ardhmen dhe rrezikut të Brexit, ka humbur mbështetjen e investitorëve. Në tregun vendas, stërlina ndodhet në kuotën e 140.3 lekëve, në rënie me 0.4 lekë për njësi krahasuar me ditën e enjte.
Zhvlerësimi dramatik i lirës turke në tregjet ndërkombëtare si pasojë e sanksioneve të vendosura nga SHBA është reflektuar edhe në vendin tonë. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, lira ra me 0.54 lekë për njësi dhe ndodhet në kuotën e 21.26 lekëve. Ky është absolutisht rekordi negativ më i ulët për lirën e re turke në raport me lekun shqiptar. Kjo mund të përkthehet gjithashtu në një rënie të lehtë të kostove për rreth 25 miliardë lekë mallrave të importuara nga Turqia gjatë gjysmës së parë të këtij viti e në vijim.
EUR/ALL 125.30 -126.00
USD/ALL 108.00 -108.80
GBP/ALL 140.30 – 141.20
AUD/ALL 79.30 – 80.00
CAD/ALL 82.70 – 83.50
CHF/ALL 108.50 – 109.50
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.