Lëndët e para – Bien e çmimet e importit

Kostot e lëndëve të para të importit pësuan rënie në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i çmimeve të importit pësoi rënie me 1.5% krahasuar me një vit më parë.
Rënia e tremujorit të dytë i kthen çmimet e importit në rënie, duke frenuar tendencën në rritje të tremujorëve paraardhës. Kthimi i rënies së çmimeve të importit ul sërish trysninë e rritjes së çmimeve të prodhimeve vendase dhe të inflacionit në ekonomi.
Çmimet e importit tashmë janë në rënie në segmentin më të rëndësishëm të industrisë, atë përpunuese, që zë mbi 97% të peshës specifike në llogaritjen e indeksit të çmimeve të importit.
Sipas INSTAT, në tremujorin e fundit 2016, indeksi i çmimeve të importit në këtë segment ra me 1.4%. Rënia ishte veçanërisht e theksuar në industrinë ushqimore, ku çmimet e lëndëve të para kanë rënë me 3% krahasuar me një vit më parë.
Në sektorin fason, rënie e çmimeve është regjistruar për veshjet, me 2.3%, ndërsa në industrinë e këpucëve çmimet janë rritur me 2.8%.
Çmimet e importit ngelen në vlera negative edhe dhe në sektorin energjisë dhe ujit, ndërsa një rritje modeste me 0.5% është regjistruar në industrinë nxjerrëse.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.