Letoni, shpërthejnë municionet – Humb jetën efektivja shqiptare e Forcave të Armatosura
Gjatë mëngjesit të sotëm si pasojë e një shpërthimi të disa municioneve të paplasura në Letoni ka humbur jetën një efektive e Forcave tona të Armatosura dhe janë plagosur dy të tjerë.
Njoftimi është bërë me dije nga Shefi i Shtabit të FA, Bardhyl Kollçaku, i cili tha se efektivët në fjalë ishin në krye të detyrës kur ndodhi ngjarja. Efektivët në fjalë ishin pjesë e kontingjentit në kuadër të misionit të NATOS-s “Enhanced Forward Presence”.
“Si pas informacioneve Major Klodian Nikolla Taushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj janë në kujdesin maksimal të mjekëve në bazën Camp Adazi në Letoni. Për ngjarjen e sotme që nga momenti parë do jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze të aleancës dhe autoritetet më të larta të vendit. Në emër të forcave të armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares Hasanaj që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. Njëherësh në emër të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura siguroj të gjithë familjarët dhe efektivat tanë në Letoni se po ndjekim me vëmendje maksimale ngjarjen që ka ndodhur dhe nuk ka nevojë për panik. Në këtë moment të vështire do jemi pranë dhe efektivit të forcave të armatosura në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit kushtetues dhe detyrimeve në përmbushjen në kuadër të aleancës” – deklaroi Kollçaku.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.