Lëvizje e lirë në kufirin mes Shqipërisë e Kosovës – Rama: Brenda vitit tjetër, si në vendet e BE-së

Bashkimi praktik i Shqipërisë dhe Kosovës sipas shembullit të vendeve të Bashkimit Europian ka qenë në fokus të bisedimeve mes dy qeverive, gjatë takimit inaugural të komisionit për organizimin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut.
Ky bashkim synon të jetë një model për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të Berlinit. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh se së shpejti do të mundësohet edhe lëvizja e lirë e shtetasve mes dy vendeve.
“Qytetarët e Shqipërisë, po më shumë akoma qytetarët e Kosovës ndeshen me një mur absurd dhe këtë mur ne duam bashkarisht ta shembim për ta filluar vitin e ardhshëm me një kufi simetrik në ngjashmëri midis vendeve të Bashkimit Europian.
Nuk do të hiqen për fare kontrollet, por kontrollet do të jenë aq të rralla saqë shumëkujt mund t’i ndodhë të mos ketë asnjë kontroll gjithë jetën”, u shpreh Rama.
Masa të tjera që pritet të ndikojnë pozitivisht në jetët e qytetarëve të dy vendeve do të jenë edhe ekuivalimi i diplomave shkollore nga institucionet arsimore të Shqipërisë e Kosovës, çka eventualisht do të rrisë edhe aksesin në tregun e punës të vendeve përkatëse.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.