Leyen viziton fabrikën e Pfizer në Belgjikë – Marrëveshje për 1.8 miliardë doza shtesë deri në vitin 2023

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vizitoi fabrikën e prodhimit të vaksinave Pfizer në Belgjikë, ndërkohë që blloku me 27 anëtarë pritet të nënshkruajë marrëveshjen më të madhe në botë të furnizimit me vaksina, duke siguruar deri në 1.8 miliardë doza të Pfizer në vitet në vijim.
Sipas marrëveshjes së njoftuar nga Leyen, gjatë një konference për mediat në ambientet e kësaj fabrike, furnizimi me vaksina do të zhvillohet në periudhën 2021-2023. Marrëveshja, që do të përfshijë edhe 900 milionë doza opsionale, do të ishte e mjaftueshme për të vaksinuar 450 milionë banorët e Bashkimit Europian për dy vitet në vijim. Kjo do të jetë marrëveshja e tretë mes Bashkimit Europian dhe Pfizer me BioNtech, që deri më tani kanë rënë dakord për 600 milionë doza.
Marrëveshja vjen ndërkohë që Komisioni Europian po përpiqet të shkëpusë marrëdhëniet me kompaninë AstraZeneca, e cila nuk e ka respektuar marrëveshjen e furnizimit. Madje komisioni njoftoi se do të hapë një çështje ligjore ndaj kompanisë farmaceutike. Në anën tjetër, Pfizer është përpjekur të rrisë prodhimin në fabrikat e saj në SHBA dhe Belgjikë, për të plotësuar kërkesën. Ndërkohë, sipas një studimi të fundit në Britaninë e Madhe, një dozë e vetme e vaksinës së Pfizer apo AstraZeneca e redukton në mënyrë dramatike rrezikun e infektimit tek të rriturit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.