Lezha “shkund” siguruesit – Raporti dëme-prime, më i larti në Shqipëri

Qarku i Lezhës mbajti rekord vitin e kaluar për sa i takon raportit mes dëmeve dhe primeve në sigurime. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ky raport për tregun shqiptar vitin e kaluar ishte mesatarisht 28%, duke ngelur ndër nivelet më të ulët në Evropë.
Por, nëse analizojmë të dhënat sipas qarqeve, Lezha ka një raport mes dëmeve dhe primeve në afro 60%, më i larti në vend dhe dy herë më të lartë se mesatarja kombëtare. Kjo është hera e dytë në tre vitet e fundit që qarku i Lezhës rezulton me raportin më të lartë në vend mes dëmeve dhe primeve.
Raportin më të ulët dëme-prime e ka qarku i Beratit, me 7.1%, i ndjekur nga Shkodra, me 9.4%. Këto të dhëna mund të jenë mjaft domethënëse pas nisjes së aplikimit të sistemit bonus-malus në sigurime. Nëse ky sistem aplikohet, gjasat janë që në Lezhë drejtuesit e mjeteve të paguajnë më shumë për sigurimin e detyrueshëm të mjetit.
Mbështetur në raportin e gjeografisë së sigurimeve për vitin e kaluar, tregu ngelet mjaft i përqendruar në Qarkun e Tiranës. Në Tiranë arkëtohen 59% e primeve të sigurimit, ndërkohë që ky Qark ka edhe nivelin më të lartë të primeve për frymë, me afro 11 mijë lekë në vit.
Në Tiranë, vlera e primeve për frymë dy herë më e lartë krahasuar me Qarkun e Gjirokastrës, që renditet i dyti, me rreth 5 600 lekë prime sigurimi për frymë. Diferencat janë më të mëdha me qarqet e tjerë.
Qarku i Kukësit siguron vetëm 1700 lekë prime për frymë, sa 15% e nivelit të Tiranës. Këto të dhëna tregojnë se tregu shqiptar i sigurimeve, përveçse i pazhvilluar dhe i mbështetur kryesisht në sigurime të detyrueshme, ka edhe një shpërndarje gjeografike të dobët dhe të përqendruar në Tiranë.
Ersuin Shehu/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.