Liberalizimi i shërbimit të kolaudimit – Gonxhja: Do kërkojë kohën e vet, subjektet duhet të kuptojnë nëse iu leverdis ekonomikisht

Liberalizimi i shërbimit të kontrollit teknik të mjeteve nuk ka asnjë pengesë nga pikëpamja ligjore, ndërkohë që do të jetë interesi i subjekteve private ai që do të tregojë nëse ky shërbim do të ofrohet nga më shumë se një operator apo do të mbetet vetëm në duart e shtetit. Në një prononcim, për TV SCAN, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transport Rrugor, Blendi Gonxhja thotë se ky vit do të shërbejë për operatorët edhe për të kuptuar nëse ofrimi i këtij shërbimi është i leverdishëm nga pikëpamja ekonomike.
Gonxhja parashikon që ky process do të kërkojë kohën e vet, por shpreh bindjen që merr kalimin e këtij shërbimi nga koncesionari te shteti, si dhe me investimet që janë parashikuar të kryhen ai do të ngrihet në nivelet e Bashkimit Evropian.
Përfundimi i koncesionit për kontrollin teknik të automjeteve i ka hapur rrugën kryerjes së këtij shërbimi pranë qendrave private, që do të licencohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë që, vendimi i qeverisë detajon kriteret që duhet të plotësojnë subjektet e interesuar për t’u certifikuar në kryerjen e kolaudimit për automjetet. Sa i takon kryerjes së këtij shërbimi, përmes një Akti Normativ, Këshilli i Ministrave ka vendosur zgjatjen me 3 muaj të afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik të mjeteve me motor dhe rimorkove të tyre. Shtesa e afatit me 3 muaj është për të gjithë ata që kanë një certifikatë kolaudimi të bërë në çdo kohë gjatë vitit 2020.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.