Liberalizimi i vizave, BE: Kosova të plotësojë kushtet
Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mbeten dy kushtet e fundit, pa plotësimin e të cilave, Kosova nuk mund të sigurojë liberalizimin e vizave.
Këtë e ka bërë të qartë Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë.
Danielsson, i cili është takuar të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin kanë nisur zyrtarisht Programin për Reforma Ekonomike, ka thënë se një nga sfidat në përpjekjet për t’i realizuar reformat, është adresimi i çështjes së krimit të organizuar, si dhe korrupsionit.
“Është e rëndësishme për disa arsye. Është e rëndësishme për vet Kosovën. Është e rëndësishme për klimën e biznesit. Nëse flasim me operatorët ekonomik dhe i pyesim se cilat janë çështjet e rëndësishme për ta dhe që do të mundësonte krijimin e vendeve të punës, ata e përmendin korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Danielsson.
“Prandaj, është me rëndësi që të adresohen këto çështje. Gjithashtu, kjo është një nga kriteret, sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, theksoi ai.
Ai tha po ashtu se për të marrë liberalizimin e vizave, kriter tjetër mbetet ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Kriteret janë të njohura publikisht dhe ne këshillojmë që të shikohet se si të adresohen këto kritere. Kjo i takon Qeverisë së Kosovës. Nga ana jonë, zotimi është i qartë. Një hap është kryer. Komisioni (Evropian) është i gatshëm që të bëj rekomandimin për liberalizim të vizave, sapo të kryhen këto çështje”, tha Danielsson.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati deklaruar se përgjigja nga Brukseli rreth liberalizimit të vizave, mund t’i vinte Kosovës brenda tre muajve, shkruan Radio Evropa e lirë. Kurse ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli javën e kaluar qëndroi në Bruksel ku kërkoi që Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, të anashkalohet si kusht për liberalizimin e vizave, të paktën për një periudhë të caktuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.