Liberalizimi i vizave për Kosovën – Eurodeputetët: Ende disa kritere për t’u përmbushur
Komisioni Europian i Marrëdhënieve të Jashtme miratoi sot një sërë rezolutash që prekin disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Rezoluta mbi Kosovën kaloi me 40 vota pro, 12 kundër dhe 5 abstenime dhe i bën thirrje vendit të tregojë më tepër përkushtim në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. E njëjta vërejtje iu bë edhe Serbisë në një tjetër rezolutë, e cila u kujton vendeve se ky është një kusht për aderimin në BE.
Komisioni e vlerësoi hyrjen në fuqi të MSA-së me Kosovën në 1 prill 2016, si edhe propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Gjithsesi komisioni parlamentar europian nënvizoi se disa kritere ende nuk janë përmbushur.
“Vota e sotme dërgon edhe njëherë një sinjal pozitiv se e ardhmja e Kosovës së pavarur është në Bashkimin Europian. Me vetëm disa hapa të mbetura për liberalizimin e vizave, raporti inkurajon partitë politike në Kosovë të vazhdojnë punën në mënyrë konstruktive dhe me frymë europiane”, u shpreh raportuesja Ulrike Lunacek.
“Dy kushtet e mbetura mund të plotësohen së shpejti nga Kosova, ratifikimi i demarkacionit të kufijve me Malin e Zi si dhe dënimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shtoi ajo.
Parlamenti Europian shprehu shqetësim në lidhje me klimën e polarizuar në peizazhin politik, si edhe dënon përpjekjet e dhunshme për të penguar krijimin e një administrate qeverisëse moderne dhe eficiente.
Eurodeputetët theksuan se pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën, duke shtuar se nëse të gjitha vendet do ta bënin këtë hap, kjo do të ndihmonte në rritjen e besueshmërisë drejt BE dhe politikës së saj të jashtme.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.