Licencimet në fushën e shëndetësisë – Përfaqësues nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë takim në QKB
Është zhvilluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit takimi me përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Drejtorisë së Licencimit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në një njoftim të QKB, thuhet se arsyeja e kësaj vizite ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe përvojave të licencimit, veçanërisht në fushën e shëndetësisë midis dy shteteve.
“Ofrimi i informacionit të duhur në këtë fushë nga ana e QKB, si një institucion i suksesshëm në punën e tij, do t’i vijë në ndihmë Republikës së Kosovës dhe më konkretisht, Ministrisë së Shëndetësisë në hartimin e legjislacionit të nevojshëm në sektorin e licencimit”, thuhet në njoftim.
Po sipas QKB, bashkëbisedimi në takim rezultoi i suksesshëm dhe hodhi themelet për bashkëpunime të tjera për të ardhmen.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.