Liderët e BE kërkojnë unitet – Britania mungon në 60-vjetorin e Traktatit të Romës

Liderët e Bashkimit Europian të mbledhur në Romë, kërkuan përforcimin e unitetit mes vendeve anëtare të mbetura, duke nënvizuar mbrojtjen e përbashkët, si një prioritet. Mungesa e Kryeministres Britanike Theresa May në takimin që shënoi 60-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Romës, vuri në dukje ndarjet dhe ndjenjën e pesimizmit mes vendeve anëtare.
“Europia, si një entitet politik, duhet të jetë e bashkuar, ose nuk do të ekzistojë fare”, tha Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian. Mbretëria e Bashkuar, që u bë një vend anëtar 16 vite pas nënshkrimit të traktatit të Romës, do të qëndrojë një anëtar i plotë deri sa negociatat e tërheqjes të përfundojnë.
Megjithatë, Theresa May vendosi që prezenca e saj në Romë do të ishte e papërshtatshme. “Është një moment i trishtë, mendoj që dalja e Britanisë është një tragjedi”, tha Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Junker.
Megjithatë, ekzistojnë fare pak tregues që Brexit të ketë shkaktuar një efekt domino në Europë. Partia për Liri dështoi gjatë votimit në Holandë dhe kandidatët pro-BE qëndrojnë përpara rivalëve në zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe Gjermani. Liderët nënvizuan mbrojtjen si një prioritet, në një kohë të shqetësimeve nga kritikat e Administratës në SHBA mbi shpenzimet ushtarake të Bashkimit Europian. “Kërkojmë një Europë më të fortë, gjë që nënkupton se do të bashkëpunojmë më shumë në mbrojtje”, tha Kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit.
Merkel tha gjithashtu se hendeku në buxhet pas Brexit në Bashkimin Europian duhet të mbushet në mënyrë të përbashkët.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.