Lideri i Polonisë befason duke iu kundërvënë ashpër aleatit hungarez Orban mbi Ukrainën!
Lideri i partisë konservatore në pushtet në Poloni ka përdorur fjalë çuditërisht të forta për të kritikuar aleatin e tij, kryeministrin nacionalist hungarez Viktor Orbán. Jaroslaw Kaczyński tha se ai ka një opinion “pa mëdyshje negativ” për refuzimin e Orban për të dënuar liderin rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës. Kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi ose PiS kritikoi gjithashtu liderin hungarez se tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është një nga “kundërshtarët” e tij.
Dënimi vjen pas viteve të bashkëpunimit të ngushtë strategjik midis qeverive të krahut të djathtë të Polonisë dhe Hungarisë. Dy vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë mbështetur njëri-tjetrin në mosmarrëveshjet e tyre të veçanta për sundimin e ligjit me Brukselin. Por Kaczyński tha se qëndrimi i Orbanit ndaj luftës në Ukrainë ishte “shumë i trishtuar” dhe një “zhgënjim”.
Zëvendëskryeministri polak tha gjithashtu se bashkëpunimi i mëtejshëm me Budapestin nuk është i mundur nëse nuk ndryshon qasja e Orban ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Pas fitores së tij elektorale fundjavën e kaluar, Orbán deklaroi se ai dëshiron të forcojë lidhjet e partneritetit me Poloninë dhe t’i japë fund ndarjes rreth pushtimit rus të Ukrainës.
Hungaria, e vetme mes fqinjëve të BE-së të Ukrainës, ka refuzuar të furnizojë vendin e luftuar me armë dhe nuk ka lejuar transferimin e tyre përtej kufirit hungarez-ukrainas. Orbán i cili ka dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë, por ka shmangur përmendjen e Putin me emër gjithashtu ka lobuar fuqishëm kundër përhapjes së sanksioneve të BE-së kundër Moskës në importet ruse të energjisë, nga të cilat Hungaria është shumë e varur.
Pozicioni i paqartë i Hungarisë për konfliktin ngriti zemërimin e zyrtarëve ukrainas, të cilët i kanë bërë thirrje publikisht Orban të marrë një qëndrim më të fortë në mbrojtjen e tyre. Në një fjalim drejtuar liderëve të BE-së në fund të marsit, Zelenskyy i tha Orban se “ti duhet të vendosësh vetë me kë je”.
Presidenti ukrainas vuri në dukje gjithashtu bombardimin shkatërrues të qytetit port të Mariupolit si një arsye që Orbán duhet të ndihmojë vendin e tij me armë. Por ministri i Jashtëm i Hungarisë Péter Szijjártó ka akuzuar Kievin për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e Hungarisë dhe Orbán deklaroi në një fjalim pas fitores së tij në zgjedhje se Zelenskyy kishte qenë një nga “kundërshtarët” që ai kishte mundur.
Javën e kaluar, Polonia dhe Republika Çeke gjithashtu refuzuan të marrin pjesë në një takim të ministrave të mbrojtjes në Hungari lidhur me qëndrimin e Budapestit ndaj pushtimit rus të Ukrainës. AFP
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.