Lidhja Qualcomm-Apple – BE gjobit me $1.2 mld prodhuesin e çipeve për “bllokimin” rivalëve

Rregullatorët e konkurrencës në BE vendosën një gjobë prej 997 milionë euro ndaj prodhuesit të çipeve Qualcomm këtë javë, për shkak se ka paguar Apple në mënyrë që prodhuesi i iPhone të përdorë vetëm çipet e kësaj kompanie, duke bllokuar rivalë si Intel. Komisioni Europian deklaroi se hetimi, i nisur në vitin 2015, ka mbuluar periudhën nga viti 2011 deri në 2016-ën dhe ka llogaritur edhe dominancën në treg të Qualcomm në çipet LTE.
“Qualcomm ka paguar miliarda dollarë ndaj Apple, në mënyrë që mos të blejë nga kompanitë rivale. Këto pagesa janë bërë me kushtet që Apple të përdorë në mënyrë ekskluzive çipet e Qualcoom për të gjithë produktet iPhone dhe iPad” – deklaroi Komisionerja e Konkurrencës Margarethe Vestager.
Sipas saj, nëpërmjet kësaj marrëdhënieje, asnjë rival nuk mund të sfidojë Qualcomm në këtë treg, pavarësisht cilësisë së produkteve të tyre. Gjoba përfaqëson 4.8% të të ardhurave nga shitjet të Qualcomm për 2017-ën.
Rregullatorë të tjerë, përfshirë Komisionin Federal të Tregtisë në SHBA, po hetojnë gjithashtu marrëdhëniet e Qualcomm me Apple. Vendimi i Bashkimit Europian mund ta cënojë firmën përballë rivalit tjetër Broadcom, që ka dhënë një ofertë armiqësorë për ta blerë në 103 miliardë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.