“Lifegate”: “Pesticidi diellor”, në Lushnje po aplikohet metoda inovative për parazitët e kulturave bujqësore

“Lifegate”, një portal që i kushton vëmendje çështjeve mjedisore dhe zhvillimit të qendrueshëm i ka kushtuar një artikull një metode ekologjike dhe ekonomike që po aplikohet në Lushnje për të luftuar parazitët e kulturave bujqësore.
Në artikullin e Lorenzo Brenna evidentohet se projekti po zhvillohet që prej vitit 2015 nga instituti MedAlb në këtë zonë, por ecuria e tij krijon mundësinë e zgjerimit të këtij novacioni edhe në zona të tjera bujqësore.
Si funksionon “pesticidi diellor”?
“Kërkuesit e institutit kanë krijuar një instrument me kosto të ulët për të luftuar parazitët dhe insektet që ushqehen me kulturat bujqësore. Në kodër janë vënë dy panele të vogla fotovoltaike poshtë të cilëve gjendet një konteiner i mbushur me ujë. Energjia diellore magazinohet dhe kur bie dielli, ndizet një llambë që gjendet 30 centimetra mbi sipërfaqen e ujit duke lëshuar një gjatësi vale speciale që tërheq insektet dhe parazitët të cilat ngordhin të burgosura në konteinerin me ujë” shkruhet në artikull.
Kjo zgjidhje, vijon artikulli, sipas institutit synon të nxisë komunitetet lokale që të ndërmarrin një prodhim bujqësor biologjik, duke përmirësuar kështu cilësinë e prodhimit bujqësor, duke rritur sigurinë ushqimore kombëtare e duke përmirësuar situatën sociale, ekonomike e ambientale të komuniteteve rurale.
“Pesticidi diellor” është efikas veçanërisht në Shqipëri, vend mesdhetar që ka 300 ditë diell në vit e mund të riprodhohet edhe në vende të tjera që kanë diell e dhe që është dëshmuar efikas për mbrojtjen e kulturave të ndryshme e të pemëve” shkruhet ndër të tjera në artikull. Në fakt, kjo metodë alternative e luftës kundër insekteve të kulturave bujqësore aplikohet në shumë vende të tjera, veç Shqipërisë.
Artikulli origjinal: https://www.lifegate.it/persone/news/albania-no-pesticidi-si-energia-solare
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.