Ligjet miratojnë buxhetin – Debate për indeksimin e pensioneve dhe taksën e pronës
Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm dhe paketa fiskale që e shoqëron atë janë miratuar nen për nen nga komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore. Mbledhja e tij është shoqëruar edhe me debate, ku kryesisht janë fokusuar te indeksimi i pensioneve. Në buxhet është parashikuar një fond prej 1 miliardë lekësh në zërin politika të reja pensionesh.
“Buxheti për fondin e sigurimeve shoqërore paraqitur në nenin katër përfshin dhe indeksimin e pensioneve sipas kërkesave të ligjit bazë të pensioneve. Ligji kërkon vetëm indeksim, indeksimi është i parashikuar dhe është pjesë e buxhetit”, thotë Mimoza Dhëmbi, drejtore e Përgjithshme e Buxhetit.
“Nuk e kam votuar nenin 4 sepse nuk parashikon rritje të pensioneve për të gjithë ata qytetarë që janë në një moshë që kanë nevojë për kujdesin e shtetit. Keni vetëm një indeksim dhe për këtë arsye nuk e kam votuar nenin 4. Sigurisht që ju po trumbetoni që do të jemi fuqi ekonomike në rajon, është buxheti më i mire. E kemi parë edhe nen për nen që keni hequr ato taksa që kanë të bëjnë edhe me shtresën e pasur, nuk mendoni ndonjëherë për shtresën e varfër dhe sigurisht për këto arsye nuk kam për ta votuar”, thotë Nasip Naço, deputet i LSI.
Gjithashtu deputetët e opozitës kanë kundërshtuar rritjen e taksës së pronës, për të cilën kanë shprehur rezervat se nuk është konsultuar me pushtetin vendor.
“Neni 4 duhet të ndryshojë totalisht sepse është neni që cenon autonominë financiare, cenon autonominë vendore, aq më tepër i gjithë ligji në tërësi, por neni 4 duke vendosur nivelet e pasurive, që ta dinë qytetarët nga neni 1 deri te i fundit është ligji që rrit taksat e pronës së qytetarëve dhe përcakton taksat e pronës të të gjithë qytetarëve për pasuritë e paluajtshme dhe tokat bujqësore. Sot qytetarët janë edhe më të varfër ata nuk mbajnë dot familjen, jo më të paguajnë taksë të dytë dhe të tretë për pasuritë apo për tokat bujqësore që ata kanë”, thotë Dhurata Çupi, deputete e PD
“Patëm diskutim me të dyja shoqatat edhe me shoqatën për autonominë vendore edhe me shoqatën e bashkive të Shqipërisë. Njoftimet janë bërë në të njëjtën kohë, me të njëjtin e-mali, me të njëjtën shkresë. Shoqata e kryetarëve të bashkisë nuk u paraqit, erdhi vetëm shoqata për autonominë vendore. Diskutimi është bërë krejt normal si me të gjitha institucionet e tjera”, shprehet Bledi Çuçi, deputet i PS.
Komisioni gjithashtu me kërkesë të disa institucioneve ka shtuar disa fonde, si për Presidencën dhe disa institucione të pavarura.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.