Ligji i faljes së detyrimeve, Tatimet njoftojnë përfituesit: Plotësoni deklaratat tatimore, ja cili është afati i fundit
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë personat që përfitojnë nga ligji i faljes së detyrimeve tatimore se duhet të dorëzojnë në mënyrë elektronike deklaratat tatimore, brenda afatit të përcaktuar nga ky institucion. Sipas DPT, afati i fundit për deklarimin e tyre është data 30 qershor.
“Kujtesë për përfituesit nga ligji i faljes së detyrimeve tatimore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sjell në vëmendjen e tatimpaguesve se Ligji nr. 33/2017 datë 30.03.2017, “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore” ka hyrë në një fazë të rëndësishme të implementimit. Ligji parashikon heqjen e gjobave për mosdeklarim në afat, për deklaratat e pa dorëzuara të çdo periudhe tatimore me kushtin që çdo deklaratë e pa dorëzuar të dorëzohet elektronikisht deri në datën 30.06.2017”, thuhet në njoftim.
Më tej, Tatimet specifikojnë se tatimpaguesi duhet të dorëzojë elektronikisht deklaratat e çdo periudhe tatimore, pavarësisht vitit të cilit i përkasin deklaratat e pa dorëzuara apo llojit të tyre.
“Çdo deklaratë e dorëzuar përtej këtij afati, nuk ju bën përfitues të faljes së gjobave”, thuhet në njoftim.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.