Ligji i faljes së borxheve në Kosovë, ministri Hoti: Qytetarët të aplikojnë, afati deri më 1 shtator 2017
Në kuadër të promovimit të Ligjit për faljen e borxheve publike dhe për të njoftuar mbi ecurinë e implementimit të tij, ministri i Financave Avdullah Hoti ka vizituar dje drejtorinë e kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” dhe drejtorinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Me këtë rast, ministri Hoti i përgëzoi të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces për angazhimet dhe përpjekjet e tyre të deritanishme, në të njëjtën kohë i inkurajoi të vazhdohet me zbatimin e procedurave për këtë fazë.
Ai gjithashtu iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët akoma nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi të vizitojnë institucionet ndaj të cilave kanë detyrime të papaguara dhe në përputhje me Ligjin për faljen e borxheve, të aplikojnë dhe të zhvillojnë procedurat brenda afatit ligjor, në mënyrë që të mund të realizojnë të drejtat e tyre dhe të përfitojnë nga falja e borxheve deri më 1 shtator 2017.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Me qëllim të koordinimit të mirë të procesit të faljes së borxheve, si ministër i Financave më 3 shkurt 2017 kam themeluar Komisionin Koordinues Ndërinstitucional të Faljes së Borxheve. Komisioni i themeluar po ofron në vazhdimësi përkrahje teknike, procedurale dhe ligjore për të gjitha Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike për të garantuar kështu mbarëvajtjen e procesit në tërësi. Në zbatim të detyrimeve, po merren të gjitha masat e nevojshme nga Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike dhe brenda afateve po punohet për të identifikuar, freskuar dhe përgatitur listat e të gjithë personave, të cilët duke iu nënshtruar dispozitave të ligjit, mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike”, shtoi Ministri Hoti.
Ndërsa, gjatë vizitës së ministrit Avdullah Hoti në KEK, drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës Arben Gjukaj e informoi Ministrin dhe Komisionin për faljen e borxheve për ecurinë e deritanishme sa i përket faljes së borxheve publike, por edhe për gjendjen e minierës dhe funksionimin e dy termocentraleve.
Ai bëri të ditur se “Me Ligjin për falje të borxheve janë trajtuar gjithsejtë: 238,682 përfitues potencial, ku deri më tani kanë përfituar 117,500 konsumator. Nga vlera totale e paraparë për falje 262 milionë deri më tani janë falur 101 milionë (40%), përderisa nga vlera 96 milionë e parashikuar për tu inkasuar deri me tani janë arritur marrëveshje për 14 milionë euro” ka thënë Gjukaj.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.