“Ligji për menaxhimin e mbetjeve”, Shalsi: Gati seancat dëgjimore me grupet e interesit

Pas dekretit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për kthimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve në Tetor të vitit të kaluar, përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit kanë depozituar në Kuvend propozimet e tyre për ndryshime ligjore.
Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Eduard Shalsi deklaroi se nisja e seancave dëgjimore në Kuvend do të mbahen në ditët në vijim. Shalsi shtoi se koha e shqyrtimit të dekretit nuk ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme dhe se ai i qëndron mendimit për të mbështetur industrinë e riciklimit.
Nga propozimet e dorëzuara në Kuvend nga shoqëria civile dhe grupet e interesit, shihen pikëpamje të ndryshme lidhur me dekretin e kreut të shtetit. Konfindustria propozon një shtesë përmirësuese në ligj, ku parashikohen kuota vjetore të mirëpërcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave për importin e mbetjeve.
Ndërsa Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve thotë se e refuzon në mënyrë kategorike çdo manovër te Komisionit përkatës për t’i bërë palë në rishqyrtimin e Ligjit.
Florenc Drizari/RTVSCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.