“Ligji i ri i Turizmit”, hyn në fuqi pas 15 ditësh – Kush cilësohet investitor në strukturën akomoduese me 4 ose 5 yje, aplikimi për statusin

Janë publikuar në “Fletoren Zyrtare” shtesat në ligjin Nr. 93/2015, “Për Turizmin”, ku përcaktohet se kur një strukturë akomoduse do të cilësohet me 4 ose 5 yje, si dhe rastet kur jepet statusi i “investitorit për një strukturë të tillë akomuduese”.
Në ligjin i cili pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare, specifikohen edhe kushtet e aplikimit për investitorët me qëllim që ata të përfitojnë statusin special.
“Strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton strukturën akomoduese, që përfshin hotelin dhe/ose resortin me 4 ose 5 yje, e cila përmbush kriteret e përcaktuara në ligj. Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton subjektin, i cili financon ndërtimin dhe/ose merr përsipër ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, i cili përmbush kriteret e përcaktuara në ligj. Operator menaxhues në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton grupin hotelier, i cili merr përsipër operimin dhe menaxhimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kontratave “franchising” apo kontratave të tjera, të ngjashme me këtë të fundit”, thuhet në ligj.
Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special
Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin, jep statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” për subjektin që plotëson të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, në Republikën e Shqipërisë, të certifikuar si e tillë nga struktura përgjegjëse, sipas këtij ligji;
b) vlera e investimit është të paktën 8 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Aplikimi për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” dhe marrëveshja me investitorin
Sipas ligjit të ri, kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.
Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, vlera e projektit, ndalimet për tjetërsimin e pronësisë së strukturave të ndërtuara apo pjesëve të tyre, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella”.
Ligji ngarkon Këshillin e Ministrave që brenda 9 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të pikës 1 të nenit 33/2.
Ky ligj hyn, miratuar në datën 18.12.2017 dhe i shpallur me dekretin nr. 10705, datë 26.12.2017, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.