Ligji/ Rriten pensionet për ish – naftëtarët, nisin aplikimet

Punonjësit në industrinë e naftës, aktualisht por edhe në të kaluarën, mund të aplikojnë nga sot në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për të përfituar statusin e naftëtarit. Me këtë status, punonjësit në të gjithë zinxhirin e prodhimit të naftës në vend përfitojnë rritje të pagës minimale me 50 për qind, e llogaritur ndryshe me 36 mijë lekë.
Rritja e masës së pensionit është në varësi të viteve të punës. Ndërsa mosha e daljes në pension ulet me 5 vite për burrat në 60 vjeç dhe gratë 55 vjeç. Përfitime do të ketë edhe sa i përket trajtimit mjekësor falas, brenda dhe jashtë vendit.
“Është ngritur komisioni që ligji i përcakton, që fillon realisht të shqyrtojë dhe pajisë personat që përfitojnë sipas kategorive nga statusi i naftëtarit”, ka deklaruar Koli Bele nga MEI, raporton “Shekulli”
Kategoritë dhe dokumentacioni i nevojshëm janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë. Megjithatë kjo e fundit pret një proces kompleks për shkak se përfshin ish punonjës të ndërmarrjeve që mund të jenë privatizuar ose nuk ekzistojnë më. Për këtë arsye ligji nuk përcakton afate duke e lënë të hapur mundësinë e përfitimit të statusit për të gjithë naftëtarët. “Nuk ka një afat fiks, aplikantët mund të marrin kohën e tyre”, thotë Bele.
Numri i përfituesve llogaritet në rreth 5 mijë dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 400 milionë lekë në vit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.