Lind Akademia e 100 Fshatrave, Rama: Instrument për të dalë nga varfëria – Kryeministri fton emigrantët të investojnë në vendlindje
Universitetet shqiptare dhe institucionet e qeverisë nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për krijimin e një rrjeti ndërveprimi për projektet e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale. Programi synon të shndërrojë 100 fshatrat e përzgjedhur në destinacione të reja turistike.
Në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi krijimin e Akademisë së 100 Fshatrave, diçka që sipas tij do të sjellë fuqi të madhe dhe vlerë të shtuar në një proces që kërkon shpejtësi dhe saktësi.
Rama deklaroi se beson se programi i rilindjes rurale do të sjellë fryte dhe zhvillim ekonomik, si programi i rilindjes urbane, jo vetëm për 100 fshatrat e përfshirë në projekt.
“Ne besojmë shumë që turizmi dhe agroturizmi si një mekanizëm i tërheqjes drejt fshatit, falë bukurive natyrore, falë vlerave të trashëgimisë natyrore, falë historisë dhe historive për t’u treguar është një instrument shumë efikas dhe i papërdorur për daljen nga varfëria, për kthimin e vëmendje së emigrantëve ndaj vendlindjes me investime që sjellin të ardhura dhe për krijimin e një efekti zinxhir që do të çlirojë energji në gjithë hapësirat rreth e rrotull”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, Programi i Rilindjes Rurale është në fokus të qeverisë dhe do të shërbejë edhe si një shtysë për rikthimin e emigrantëve që duan të investojnë.
“Ky program do të ndihmojë familjet në fshatra dhe do t’u mësojë jo vetëm se si të bëjë më mirë aplikimet për të marrë financime nga skemat bujqësore, jo vetëm se si të aplikojë për të transformuar shtëpinë në bujtinë fitimprurëse, por si të shikojë të ardhmen aty ku është toka e prindërve. Ky do të jetë programi i një kthese të rëndësishme mes marrëdhënieve të emigrantëve shqiptarë në Itali, Greqi apo kudo janë dhe fshatit të tyre, jo si nostalgji, jo si detyrim për të dërguar para çdo muaj për të ndihmuar familjen, por si instrument fitimprurës ku secili që investon do të fitojë çdo vit e më shumë se sa fiton në punën e tij të emigracionit”, tha kryeministri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.