Linja hekurudhore Durrës-Tiranë-Rinas – Marrëveshja e huasë me BERZH, në vlerën e 36 mln Eurove shkon në Kuvend

Ka kaluar në Kuvend për miratim marrëveshja mes Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit “Hekurudhat Shqiptare – Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, synohet financimi i huasë në vlerën e 36 870 000 euro për realizimin e projektit, i cili ka për qëllim përveç ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin e Tiranës, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës. Në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të rajonit të Durrësit, Tiranës dhe të gjithë vendit.
“Objektivat kryesore në drejtim të arritjes së rezultateve lidhen me rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (PTT) me një gjatësi 34.2 km dhe, gjithashtu, për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit (gjatësi 4.7 km), duke përfshirë dhe degëzimet shtesë 950 m dhe 800 m, respektivisht, për të lidhur linjën e re me Terminalin e Transportit Publik Tiranë PTT, si dhe me qytetin e Durrësit. Projekti parashikon, gjithashtu, ndërtimin e një terminali hekurudhor në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas”, thuhet relacionin e projektligjit.
Projekti përmbush objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 për modernizimin e hekurudhave, ndërkohë kostoja totale e projektit vlerësohet në vlerën 90.45 milionë euro.
Kredia që do të akordohet nga BERZH nëpërmjet kësaj marrëveshje do të përdoret për financim të punimeve civile për rehabilitim të linjës ekzistuese dhe ndërtimin e linjës së re, në kuadër të projektit. Projekti është pjesë e parashikimeve buxhetore të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për periudhën 2017-2019, konkretisht në programin “Transporti Hekurudhor” për parashikimin e vlerës së TVSH-së dhe kosto lokale me kontribut buxhetor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.