Linjë ajrore për biznesmenët – “Hellofly” hyn në treg, udhëtim Salerno-Tiranë dy herë në javë
Aeroportit të vetëm të Shqipërisë, pritet t’i shtohet një linjë e re ajrore, që do të kryejë udhëtimet nga Salerno e Italisë në Tiranë. Linja ajrore në fjalë quhet “Hellofly”, e cila është një kompani ajrore virtuale malteze. Fluturimet nuk do të bëhen nga kryeqendra e rajonit të Campanias, por nga një qytet tjetër i rëndësishëm i rajonit, që është Salerno.
Një gjë të tillë e ka njoftuar vetë kompania nëpërmjet faqes së saj online, ku specifikon se ky itinerar do të nisë shumë shpejt të operojë. Udhëtimi mësohet se do të nisë prej datës 20 shtator të këtij viti, dhe do të jetë dy herë në javë, ditën e Hënë dhe atë të Premte. Avioni në dispozicion të kompanisë do të jetë një Saab 340, me një kapacitet prej vetëm 33 vendesh. Kjo do të thotë se, tipologjia e udhëtarëve nuk do të jetë ajo e turistëve, por kryesisht biznesmenë të ndryshëm dhe profesionistë.
Kompania vetë e cilëson këtë itinerar të ri si udhëtim biznesi. Edhe çmimet e biletave e ilustrojnë mjaft mirë këtë, pasi nuk bëhet fjalë për çmime low kost. Mësohet se një rrugë, vetëm vajtje, me linjën e re ajrore, do të ketë një kosto prej rreth 96.5 euro. Kjo është linja e parë ajrore mes rajonit të Campanias e Napolit dhe Tiranës.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.