Linjë e re 35 kV në zonat turistike, OSHEE: Investimi 200 mijë USD, drejt përfundimit
Operatori Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka rinisur punimet për rikonstruksionin e linjës 35 kV Bistrica 2-Sarandë, me një vlerë prej 200 mijë dollarë, që përballohet nga fondet e kompanisë.
Punimet në këtë linjë filluan në mesin e muajit prill, por u ndërprerë me nisjen e sezonit turistik. Kjo për shkak të pozicionit të saj dhe pamundësisë për të dhënë energji nga linja të tjera, çka kërkon domosdoshmërisht stakimin e energjisë për rreth 8 orë në ditë.
Investimi pritet të përfundojë në ditët ë para të nëntorit, ndërsa drejtuesit e projektit sqarojnë se, punimet kanë ecur me ritme më të shpejta, çka mund të sjellë edhe mbylljen e tyre brenda këtij muaji.
Sipas OSHEE-së, Kjo linjë është ndërtuar në vitet ’70-të dhe nuk garanton më sigurinë e furnizimit me energji për zonën. Investimi parashikon vendosjen e përcjellësve të rinj, me gjatësi 13 km, ndërsa janë vendosur 7 shtylla të reja metalike në këtë aks.
Linja e re 35 kV, konsiderohet e rëndësisë së veçantë pasi garanton dhe furnizon me cilësi të lartë banorët e zonave bregdetare, duke rritur cilësinë jo vetëm në zonat turistike, por edhe në ato rurale, çka ndihmon dhe zhvillimin e agroturizmit.
Zonat që preken nga punimet: Borsh, Lukovë, Bërdenesh, Bashkia Sarandë, Çukë, Metoq, Gjashtë, Shelegar, Bregas, Vrion, Vromero, Coraj, Ftere, Piqeras, Sasaj, Krekëz, Shënvasil dhe Nivic.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.