Linjë e re urbane- Farkë-Stacioni i Trenit, Veliaj: Shërbim cilësor

Bashkia e Tiranës ka vënë në funksion një linjë të re urbane me autobusë komodë që përshkon segmentin Farkë – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit, duke iu ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave. Kryebashkiaku Erion Veliaj, inspektoi shërbimin në këtë linjë, ku theksoi se tashmë banorët e Farkës mund të lëvizin më shpejt drejt qendrës së Tiranës dhe me kosto më të ulët.
“Kemi futur abonenë, kemi një çmim të njëjtë në të gjithë qytetin, edhe për linjë e Farkës, dhe mbi të gjitha sot kemi një kapacitet që është 3-fishuar, me 11 autobusë dhe me një frekuencë çdo 10 minuta, e cila do të priret të shkojë deri në çdo 5-6 minuta”, shtoi Veliaj.
Veliaj bëri me dije se brenda këtij viti edhe në këtë linjë do të futet në përdorim bileta elektronike, e cila gjithashtu do jetë një lehtësi edhe më e madhe për banorët që nuk do përballen më me praninë fizike të kontrollorëve të biletave.
“Brenda këtij viti do të fusim biletën elektronike, e cila do të zgjidhë përfundimisht disa ngërçe të vogla që kemi, ndonëse sot me futjen e GPS dhe kontrollet që po bëjmë në secilin autobus, kemi një ndryshim të jashtëzakonshëm të situatës”.
Linja “Farkë – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit” është një linjë e re, një pjesë e së cilës më parë ka qenë e mbuluar me shërbim transporti nga ish Komuna Farkë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.