Linjë hekurudhore brenda në Tiranë, Gjiknuri: Po diskutojmë me Bashkinë, do jetë pjesë e projektit Tiranë – Rinas – Durrës

Është prezantuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, buxheti për Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, ku i pranishëm ishte edhe ministri Gjiknuri, ku përveç projekteve në ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve ka folur edhe për disa projekte të veçanta si ai ndërtimi i hekurudhës Tiranë – Rinas – Durrës. Sipas Gjiknurit edhe në Tiranë do të ketë një linjë të brendshme të rrjetit hekurudhor, i cili do t’i shërbejë transportit të qytetarëve.
“Po punohet për studimin e fizibilitetit të hekurudhave. Kemi projektin e rëndësishëm me BERZH për rrjetin modern hekurudhor Tiranë- Rinas- Durrës. Po diskutojmë me Bashkinë e Tiranës për bërë një lidhje të brendshme të rrjetit hekurudhor, duke u kthyer në një rrjet të transportit në qytetin e Tiranës.”
Një tjetër projekt që ka përmendur, Gjiknuri është ai në fushën e energjisë, ku ka theksuar vënien në punë të TEC-it të Vlorës.
“Fillimin e vitit tjetër do të hapim tenderin për koncesionin për vënien në punë të TEC-it Vlorë, në këtë mënyrë do shtojmë portofolin në prodhimin e energjisë, duke krijuar më shume garanci për konsumatorin”, u shpreh Gjiknuri.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.