Liqeni Artificial – Bashkia e Tiranës nis ndërtimin e rrugëve të brendshme

Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur punën për ndërtimin e rrugëve të brendshme të Parkut të Liqenit Artificial. Gjatë inspektimit të punimeve Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se kjo ndërhyrje do të rris mundësinë e shfrytëzimit të investimeve që janë bërë në atë zonë.
Sipas Veliajt si mungese e ndërhyrjeve deri më tani janë shfrytëzuar vetëm 10% e investimeve të bëra gjatë dy viteve.
“Pavarësisht investimeve tona në parkun e Farkës, në parkun e Kasharit, le të themi kurora e gjelbër e Tiranës, Parku i Liqenit vijon të jetë më i frekuentuari nga qytetarët. Në rrugët e brendshme të tij nuk është ndërhyrë që nga vitet ‘60-70, çka ka bërë që me gjithë investimet që ka bërë Bashkia, të përdoret vetëm 10% e territorit të parkut”, tha Veliaj.
Kreu i bashkisë premtoi përfundimin e punimeve brenda dy muajve, duke siguruar se në fund të verës i gjithë parku do të jetë i vizitueshëm.
Veliaj u ndal edhe tek çështja e furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit në këto ditë të nxehta dhe të një periudhe thatësire të zgjatur që ka prekur të gjithë Europën.
Kreu i bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë ujin e pijshëm, ndërsa premtoi marrjen e të gjitha masave për disiplinimin e abuzuesve.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.