Lira jashtë kontrollit – Bie prej vështirësive të qeverisë turke në balancimin e politikave monetare

Lira turke ka shënuar nivele rekord të ulëta në javën e fundit që sipas analistëve vjen nga mungesa e vullnetit të Qeverisë për të balancuar politikat monetare, ndërkohë që inflacioni ka arritur në nivele dyshifrorë.
Rënia është përkeqësuar edhe nga tensionet gjeopolitike në Siri. Valuta pësoi një rimëkëmbje të mprehtë ditën e Premte, ndërkohë që politikëbërësit sinjalizuan veprime të mundshme në lidhje me këmbimin valutor, megjithatë nuk ofruan detaje.
Qasja politike nën presidentin Erdogan, duke i dhënë prioritet rritjes ekonomike dhe jo kontrollit të inflacionit, ka irrituar investitorët e tregjeve në zhvillim prej kohësh. Presidenti ka parandaluar tkurrjen monetare, pavarësisht inflacionit që qëndron në 10.23%.
Erdogan e quajtur rënien e fundit të lirës si një sulm ekonomik nga armiqtë e Turqisë. Megjithatë, sipas investitorëve, tregjet kanë qenë në pritje për një rritje të normës së interesit nga banka qendrore. Erdogan ka bërë thirrje për të mbajtur normën e interesit në nivel rekord të ulët për të nxitur rritjen ekonomike.
Lira preku 4.19 kundër dollarit javën e kaluar, duke rënë me thuajse 14% që prej nivelit të arritur në Gusht 2017 dhe është renditur si valuta me performancën më të dobët në tregjet në zhvillim deri më tani për vitin.
Yieldi i titujve qeveritar ka shënuar nivele rekord dhe deficiti i llogarisë korrente për Shkurtin është rritur me më shumë se 60% nga e njëjta periudhë në 2017-ën, duke prekur 4.15 miliardë dollarë.
Megjithatë, ekonomia ka treguar performancë të fortë, ndërkohë që PBB reale është rritur me 7.4% në 2017-ën, që është sa dyfishi i vitit të kaluar dhe norma më e lartë në vendet e G20.
Zyrtarët turq që preferojnë inkurajimin e rritjes ekonomike ndaj kontrollit të inflacionit argumentojnë se Turqia është një rast special që garanton politikat e pazakonte, për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë dhe nevojës për të krijuar vende të reja pune.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.