Lista e “100 fshatrave”! Peleshi: Maminasi e Gjepalaj, të përfshirë në program
Maminasi dhe Gjepalaj të Bashkisë së Shijakut janë dy prej fshatrave të përfshirë në programin “100 fshatrat” të bërë publik pak ditë më parë. Ky program parashikon investime dhe projekte zhvillimore me mbështetjen e 4 ministrive. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvilllimit Rural, Niko Peleshi ka vizituar zonën e Maminasit, pjesë e Bashkisë së Shijakut ku inspektoi disa vepra ujitëse të realizuara nga kjo bashki me fondet e qeverisë.
“Këtu jemi ndërmjet Maminasit dhe Gjepalës. Janë dy nga fshatrat e hartës së “100 fshatrave” të Bashkisë së Shijakut. Është një program, i cili mbështet, jo domosdoshmërish fshatrat që kanë më shumë nevoja, së mijëra fshatra në Shqipëri kanë nevoja, edhe nevoja bazike, nevoja të ujit, të kanalizimeve etj, por kjo listë është lista e fshatrave, që kanë më shumë potenciale, ose që e kanë treguar vetën. Agroturizmi është një mundësi tjetër zhvillimi në kuadrin e “100 fshatrave”, ku programi i katër ministrive do të përqendrohet me investime, infrastrukturë, në përmirësime në shërbimet publike, mbështetje me incentiva dhe grante për agroturizmin, prodhimin e produkteve tipike dhe gjithë ekonomitë e tjera jo bujqësore, në mënyrë, që atë themi, mirëqënien në fshat, ta sjellim në mënyrë reale, duke kombinuar të ardhura nga bujqësia, me të ardhurat nga aktivitetet jo bujqësore, sepse vetëm kështu, mund të flasim për një nivel mirëqënie të kënaqshëm në zonat rurale” tha Peleshi. Në listën e fshatrave të përfshira në program janë edhe fshatra të tjera si ai i Fishtës në Lezhë. Po ashtu, nga Bashkia Vlorë janë Kanina, Tragjasi, Zvërneci ndërsa nga bashkia Himarë: Dhërmiu, Vunoi, Kuçi, Lukova. Nga Selenicë janë përzgjedhur Pluça e Drashovica ndërsa nga Bashkia Sarandë, fshati Çukë. Nga bashkia Delvinë është përfshirë fshati Rusan, nga bashkia Finiq Mesopotami dhe nga Bashkia Konispol, fshati Mursi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.