Listimi i Uber, do jetë gjigant! – Oferta publike fillestare pritet t’a vlerësojë në $84 miliardë
Kompania e rrjetit të transportit Uber, po përpiqet të gjenerojë mbi 9 miliardë dollarë nëpërmjet ofertës publike fillestare, ç’ka do t’i japë kompanisë një vlerë tregu prej mbi 84 miliardë dollarë. Gjiganti i transportit planifikon të ofrojë 180 milionë aksione në 44-55 dollarë secili, sipas një formulari të dërguar te rregullatorët. Formulari tregon se Uber mund të bëjë debutimin tregtar në muajin Maj, në Bursën e New York-ut, që pritet të jetë edhe listimi më i madh i vitit në Shtetet e Bashkuara.
Në tavan, listimi do ta vlerësojë Uber në rreth 84 miliardë dollarë, bazuar në numrin e aksioneve në qarkullim pas ofertës, siç është detajuar në formular. Duke përfshirë edhe opsionet shtesë të aksioneve, aksionet e kufizuara apo tituj të tjerë të kapitalit të papërfshirë në totalin në qarkullim, vlera mund të kalojë 91.5 miliardë dollarë.
Sipas objektivit, oferta e Uber me seli në San Fransisco, do të kthehet në 1 nga 10 ofertat më të mëdha publike të të gjitha kohërave dhe më të madhen që kur Alibaba shënoi rekord prej 25 miliardë dollarë në vitin 2014. Oferta më e madhe publike fillestare për këtë vit, qëndron në vetëm 2.34 miliardë dollarë, nga kompania rivale e transportit “Lyft”.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.