Llalla i shpëton Vetting-ut – Kolegji: Ka respektuar procedurat e dorëheqjes, nuk do hetohet
Adriatik Llalla nuk do t’i nënshtrohet Vetting-ut. Është ky vendimi përfundimtar i Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, i cili rrëzoi përfundimisht kërkesën e Komisionerëve Publikë për vijimin e procesit të vlerësimit për ish Kryeprokurorin e Përgjithshëm. Komisionerët Publikë ngritën pretendimin se Llalla e ka paraqitur dorëheqjen te Presidenti i Republikës dhe jo te Këshilli i Lartë i Drejtësisë, shkak për të cilin ai gëzon ende statusin e magjistratit.
Por sipas vendimit të bërë publik nga kreu i Trupës Gjykuese të Kolegjit, Sokol Çomo, Llalla ka ndjekur hapat e duhur ligjorë duke e paraqitur dorëheqjen te Presidenti i Republikës, shkak për të cilin ndaj tij ndërpritet menjëherë procesi i Vetting-ut.
Sokol Hazizaj, Avokati i Adriatik Llallës tha se vendimi ishte i pritshëm, duke qenë se klienti i tij kishte ndjekur hapat e duhur ligjorë për të paraqitur dorëheqjen dhe për të ndërprerë procesin e Vetting-ut.
I pyetur nga gazetarët për vendndodhjen aktuale të Adriatik Lallës, Hazizaj tha se nuk mund ta jepte këtë informacion, ndërkohë që shpjegoi se nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse ndaj ish Prokurorit të Përgjithshëm ka nisur zyrtarisht ndonjë procedim penal.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.