Llogari bankare pa kosto? – Banka e Shqipërisë po e merr në konsideratë
Banka e Shqipërisë po merr në konsideratë mundësinë t’i detyrojë bankat që të ofrojnë një llogari pa kosto për qytetarët me të ardhurat të ulëta. Kjo llogari duhet të shërbejë për të marrë shërbimet bazë të pagesave dhe për të rritur përfshirjen e tyre financiare.
Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, tha gjatë një konference ndërkombëtare për pagesat në Vienë se Banka e Shqipërisë synon që, brenda vitit 2022, 70% e personave në moshë madhore të kenë një llogari bankare. Aktualisht, banka qendrore vlerëson se më pak se 40% e shqiptarëve mbi 18 vjeç kanë llogari në bankë.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë prezantoi strategjinë kombëtare për reformimin e tregut të sistemeve të pagesave.
Një nga objektivat e strategjisë është nxitja e konkurrencës dhe ulja e kostove në shërbimet e pagesave.
Mundësimi i një infrastrukture formale më të zgjeruar dhe me kosto më të ulët mund t’i zhvendosë flukset e pagesave nga kanalet informale drejt atyre formale.
Një shembull domethënës janë remitancat. Sipas Bankës së Shqipërisë, kostot për të dërguar para drejt Shqipërisë në rrugë formale vlerësohen të jenë rreth 8-18%, dukshëm më të larta se rajoni, dhe larg objektivit global prej 3% që synohet deri në vitin 2030. Kjo bën që një pjesë e madhe e remitancave të hyjnë Shqipëri në rrugë joformale.
Vlerësohet se në Shqipëri vetëm 4% e dërgesave hyjnë përmes kanaleve bankare. Perceptimi për procedurat bankare si të komplikuara mbizotëron, edhe për shkak të kulturës së ulët financiare.
Kjo shpjegon pse 57% e individëve zgjedh kompanitë e transfertave të parave, që kanë kosto akoma më të larta, por janë më të thjeshta në aksesim.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.