Logoja e Agroturizmit në Shqipëri – Shpallet konkursi, kriteret dhe afati i fundit për aplikim
Agroturizmi dhe rritja e strukturave të tij është edhe një ndër prioritetet kryesore të qeverisë. Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe GIZ kanë shpallur konkursin për logon e agroturizmit në Shqipëri.
Konkursi do të zhvillohet në dy faza:
Në fazën e parë, e cila do të zhvillohet nga data 9 deri në datën 31 Tetor do të përzgjidhen 5-7 aplikantët e parë, të cilët përmbushin edhe idenë më të p[përafërt, përmes votimit individual me pikëzim nga juria.
Ndërsa, faza e dytë do të zhvillohet pas përzgjedhjes së 5-7 aplikantëve, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre në eventin përmbyllës, ku do të shpallet edhe fituesi.
Ideja e përgjithshme, realizimi grafik si dhe ndërkombëtarizimi janë edhe tre elementët kryesorë mbi të cilët do të bazohet edhe përzgjedhja e logos më të mirë, e cila do të bëhet nga një juri profesionistësh.
Në konkurs mund të marrin pjesë studentë, individë, kompani të fushës, studio, etj. Aplikantët e interesuar mund të plotësojnë formularin e aplikimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë si dhe të ngarkojnë po ashtu edhe projekt-idetë përkatëse në format PDF brenda datës 31 Tetor.
Aplikantët e përzgjedhur nga juria do të njoftohen brenda datës 6 nëntor 2018 dhe do të ftohen të prezantojnë idetë e tyre në eventin përmbyllës, i cili do të zhvillohet më 12 nëntor.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.