Lojërat e fatit “lëvizin” qiratë – Zaloshnja: Ulje e çmimeve me 15%, më shumë ambiente në treg
Kazinotë elektronike dhe bastet sportive janë parë edhe si pengesë nga tregu imobiliar pasi kishin zënë hapësirat më të mira, duke rritur ndjeshëm edhe çmimin e qirave në zona të caktuara. Në një intervistë për TV SCAN, ekspertja e pasurive të paluajtshme, Ilda Zaloshnja, thekson se vendimi për mbylljen e tyre, është dhe një lajm i mirë për tregun imobiliar, i cili do të vihet në lëvizje me listimin e ambienteve të reja dhe do të zgjidhë këtë “ngërç” të krijuar.
“Për shkak të atë ardhurave të tyre të larta ata I kanë lejuar vetes të paguanin edhe vlera të larta qiraje për metër katror ose qira mujore në total. Kjo në një farë mënyre ka ndikuar pak para disa vitesh tregun imobiliar duke mbajtur çmimet pak të larta qiraje. Do të ketë një disponibilitet ambientesh interesante dhe për këtë ne jemi shumë të gëzuar sepse kemi pasur mangësi në qytet për të zgjidhur kërkesat që kemi pasur për këto lloj pronash dhe nga ana tjetër besoj që do të ketë edhe një rënie të çmimit”, u shpreh Zaloshnja.
Ndërkaq, çmimet e qirave për këto ambiente, në eksperiencën e ekspertëve të tregut imobiliar, pritet të zbresin minimalisht në 15 për qind.
“Unë mendoj që do të ketë një lloj rezistence nga ana e pronarëve në fillim sepse duan të kenë të njëjtat të ardhura që kanë pasur gjithë këto vite nga këto prona dhe pastaj duke parë që gjërat duhet të bien vërtetë në realitetin e tyre të rregullt, të vërtetë besoj që do të ketë një 10-15% ulje minimalisht.”
Vendimi, prek 4200 pika bastesh sportive, ndërsa ende nuk ka një shifër të pikave që kanë ushtruar aktivitet si kazino elektronike, të cilat kanë zënë edhe ambientet më të mira komerciale.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.