Londër-Bruksel, fillon “saga” – Nisin zyrtarisht negociatat 2-vjeçare për Brexit

Negociatat mes Brukselit dhe Londrës për Brexit kanë nisur siparin e gjatë, që do të zgjasë rreth 2 vite, këtë të Hënë.
Ky hap i rëndësishëm vjen thuajse një vit pasi britanikët vendosën nëpërmjet referendumit të famshëm që të braktisin unionin, dhe thuajse 3 muaj që prej ditës kur Theresa May kërkoi formalisht daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Në Mars të vitit 2019 pritet që Britania të humbasë çdo detyrim, përgjegjësi, dhe përfitim që buron nga fakti i të qenit anëtar i Bashkimit Europian.
Nisja e negociatave vjen në një kohë aspak të lehtë për kryeministren Theresa May dhe konservatorët, të cilët vetëm pak ditë më parë humbën mazhorancën qeverisëse.
David Davis është sekretari i shtetit për Brexit, dhe një mbështetës i largimit të Britanisë nga unioni. Ai është njeriu që do të negociojë me Brukeslin procesin e daljes.
Ka ende shumë pikëpyetje sa i përket ndarjes, dhe pikëpyetjet kryesore lidhen me marrëveshjet tregtare dhe aksesin në tregun e përbashkët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.