Londër, shpërthen “fluska”? Tregu imobiliar ndalet, performanca më e keqe në 8 vite
Çmimet e shtëpive në Londër kanë pësuar rënien më të madhe në 8 vite, dhe ky është një efekt i padiskutueshëm i Brexit. Gjatë muajit Prill, rënia fiksohet në 1.5%, që është edhe më e madhja që prej muajit Maj të vitit 2009. Në Londër ndërkohë rënia fiksohet në 2%.
Është pikërisht Londra që regjistron një performancë më të keqe se e gjithë pjesa tjetër e Mbretërisë. Kërkesa në tregun imobilar është ndalur përballë çmimeve stratosferike që për shumë ekspertë ishin thjesht një fluskë.
Gjatë 12 muajve të fundit, sidomos pas referendumit të Brexit në qershorin e vitit të kaluar, çmimet në tregun imobiliar, sidomos në Londër, njohën një rritje të paprecendentë, duke nxitur për rrjedhojë edhe rënien e kërkesës.
Tashmë, ajo që ekspertët e quajnë fluskë, duket se po shpërthen, dhe çmimet kanë tendencë vetëm në rënie. Jo rastësisht, problematika më e madhe regjistrohet për pronat në lagjet qendrore të Londrës.
Në këto zona, rënia vjetore regjistrohet në më shumë se 4%, ndërkohë që në zonat periferike çmimet dhe tregu janë në rritje konstante. Në të gjithë Mbretërinë, çmimet e pronave gjatë Prillit u rritën me 1.1%, pavarësisht se nën pritshmëritë, që flisnin për një rritje me 1.6%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.