Londra, “lavatriçja” e botës – Çdo vit riciklohen deri në 105 mld euro
Londra është padiskutim lavatriçja më e madhe në botë e parave, aty ku paratë e pista bashkohen me ato të pastra, e më pas investohen, kryesisht në tregun imobiliar e atë financiar, duke përfituar nga fakti se, Londra është kryeqendra e financave globale.
Sipas agjencie kundër krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, çdo vit në vend pastrohen nga 42 deri në 105 miliardë euro. Kjo shumë është e barabartë me 2 deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto Britanik.
Pjesa më e madhe e këtyre parave, sipas të njëjtës agjenci rinvestohet në ishull. Për të nënvizuar rëndësinë e Cityt, lagjes së Londrës ku punojnë çdo vit rreth 400 mijë njerëz, mjafton të themi se është qendra më e madhe e siguracioneve në Europë, dhe e treta në botë; se ka bursën më të madhe në Europë dhe të dytën në botë, dhe se pikërisht këtu këmbehen plot 37% e totalit të vëllimit të këmbimit të valutave në botë.
Në Londër këmbehen më shumë dollarë se në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, në Londër, kalon 39% e të gjitha derivateve mbi normat e interesit, në nivel global.
Të gjitha këto e bëjnë Londrën eksportuesin më të madh në botë të shërbimeve financiare, me një sufiçit në rreth 100 miliardë dollarë në vit. Vetëm në Londër operojnë më shumë se 250 banka të huaja, më shumë se në çdo vend tjetër të botës.
Më shumë se 400 kompani të kuotuara në Bursën e Londrës strehohen në parajsa fiskale. Londra është një ndër portat më të mëdha në botë të juridiksioneve offshore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.