LSI i bashkohet PD kundër projektbuxhetit – Vasili: Sfidoj qeverinë të më thotë një investim të huaj që do të vijë në Shqipëri

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar këtë pasdite mbledhjen e grupit parlamentar të kësaj partie, ku u mor në shqyrtim qëndrimi përfundimtar i grupit mbi projektbuxhetin 2018 dhe paketën e re fiskale.
Në përfundim të mbledhjes, Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI, është shprehur se ky është një buxhet i pamundur, të cilin kjo parti nuk mund ta votojë. Pengesat kryesore, LSI i sheh në rritjen e disa taksave dhe mbi të gjitha në çështjen e TVSH-së për biznesin e vogël.
“Ulja e këtij kufiri është një situatë e re kritike dhe shumë e rëndë për këtë biznes kapilar, për mbijetesën e tij, sigurisht edhe për punësimin e mijëra njerëzve aty. Dhe është një masë e cila shkon jo vetëm kundër gjithë interesave të një shtrese shumë të gjerë të popullatës e cila mbijeton nëpërmjet këtij biznesi të vogël, por shkon edhe kundër gjithë rekomandimeve që FMN ka pasur për këtë masë duke e konsideruar atë një masë e cila do të shkaktojë dhe do të thellojë informalitetin përkundër që ta luftojë atë”, tha Vasili.
Grupi parlamentar i LSI shprehet kundër edhe rolit që merr qeveria në caktimin e sistemit të taksave, duke hyrë në konflikt të egër me Kushtetutën. Vasili u shpreh se propozimi për buxhetin e vitit të ardhshëm është hartuar mbi bazë klienteliste dhe do të mundësojë pastrimin e parave përmes projekteve të investimeve publike.
Sipas LSI, buxheti paraqet risqe të mëdha në ekonomi dhe sistemi i taksave krijon një paqëndrueshmëri që dekurajon biznesin e huaj. Vasili hedh poshtë gjithashtu pretendimet e qeverisë për norma të larta rritjeje ekonomike.
“Unë e sfidoj qeverinë. Jam këtu dhe pres të më thotë qoftë edhe një investim të madh dhe të rëndësishëm të huaj, i cili po vjen apo është projektuar të vijë në Shqipëri, i cili do të më bindte mua dhe shqiptarët e tjerë. Nuk ka asnjë të tillë, ndaj edhe shifrat e dhëna janë shifra absolutisht të dyshimta dhe Shqipërinë e presin ditë shumë të errëta të rritjes ekonomike, për shkak të një aventurizmi politiko-ekonomik të paparë për Shqipërinë në të gjithë vitet e fundit”, u shpreh Vasili.
Në këtë mënyrë, Lëvizja Socialiste për Integrim, unifikon qëndrimin e opozitës kundër projektbuxhetit të propozuar, duke e quajtur, ashtu si Partia Demokratike, një buxhet të oligarkëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.