LSI pranon rezultatin – Vasili: Do të jemi opozitë e fortë në Kuvend

Lëvizja Socialiste për Integrim vetëm pak para shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 25 qershorit pranoi kalimin e saj zyrtarisht si forcë opozitare.
Në një dalje për mediat nga selia e kësaj force politike, kreu i LSI Petrit Vasili i komentoi zgjedhjet si më të shëmtuarat, të cilat sipas tij, u fituan nga PS përmes parave të pista dhe terrorit.
“Jam këtu që në përfundim të zgjedhjeve të falënderoj mbi 230 mijë votues shqiptarë, mijëra e mijëra të rinj anembanë vendit, dhe mijëra burra e gra që votuan LSI për t’i ngarkuar asaj një mision historik, të jashtëzakonshëm që ka të bëjë me një opozitë të vërtetë në këtë vend. Zgjedhjet e 25 qershorit për shkak të strategjisë së terrorit, të lëshimit të miliona parave të pista, të bërjes njësh të Policisë së Shtetit dhe bashkëvepruese në këtë strategji terrori, 230 mijë vota ishin pikërisht goditja më e rëndë që mund t’ju jepte kësaj strategjie. Më së fundi dhe për herë të parë pas 4 vitesh do të ketë mijëra e mijëra shqiptarë do të kenë më së fundi zërin e tyre në Parlamentin e Shqipërisë. Një zë i cili do të denoncojë qartë të gjithë strategjinë jo vetëm të terrorit të këtyre zgjedhjeve, strategji që është dokumentuar gjerësisht me mijëra dokumente, fakte, filmime, të cilat do të bëhen të ditura anembanë botës, brenda dhe jashtë Shqipërisë”.
Vasili, teksa falenderoi votuesit e LSI, garantoi se kjo forcë do të zhbëjë strategjinë e drogës duke garantuar çlirimin e vendit nga vjedhja e koncesioneve dhe dhuna e taksidarëve.
“Zëri i kësaj opozite të re do të jetë një zë që do të zhbëjë moralisht dhe do të zhveshë strategjinë e drogës në këtë vend dhe parave të fëlliqura që rrjedhin prej saj, të një vendi që do të çlirohet nga kthimi i tij në një gropë plehrash. Zëri i qytetarëve ku të çlirohen njëherë e përgjithmonë nga pushteti i bandave nacional socialiste të Rilindjes”.
Kreu i LSI deklaroi se kjo forcë posedon mijëra dokumente që i kontestojnë zgjedhjet. Rreth 230 mijë votues mbështetën këtë forcë politike nga rreth 190 mijë në vitin 2013.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.