Lufta e Britanisë ndaj obezitetit – Kompanitë reduktojnë sheqerin në pije
Qeveria britanike prezantoi në 2016-ën një taksë të re, si përpjekje për të parandaluar obezitetin tek fëmijët. Taksa mbi pijet me sheqer, do të mbledhë edhe 520 milionë paund të ardhura shtesë.
Ligji parashikon që pijet me mbi 5 gr sheqer për 100 ml do të taksohen me 0.18 paund, ndërsa ato me mbi 8 gr sheqer për 100 ml do të taksohen me 0.24 paund.
Ideja e qeverisë është se konsumi më i paktë i sheqerit do të sjellë rezultate më të mira në shëndet, sidomos për fëmijët.
Shifrat e obezitetit në Britaninë e Madhe janë ndër më të lartat në botë. Sipas qeverisë 1 në 5 fëmijë është obez dhe pijet me sheqer përbëjnë një nga burimet më të mëdha të sheqerit në dietën e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Ligji pritet të hyjë në fuqi pas një viti, por prodhuesit kanë filluar të marrin masa. Kompanitë e pijeve, nga frika se çmimet më të larta do të dëmtojnë shitjet e tyre, po punojnë me nxitim për të reduktuar sheqerin në produktet e tyre.
Coca-Cola deklaroi se ka përshpejtuar hapat për të reduktuar sheqerin e shtuar në nivel global. Sipas saj, Sprite dhe Fanta do të ulin me një të tretën sheqernat dhe kaloritë.
Ndërsa Pepsi është shprehur se dy të tretat e pijeve të saj do të kenë 100 ose më pak kalori deri në vitin 2025.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.